I dashuri ynë Muhammedi a.s.
Nga: Armend Zeqiri


Në histori janë të rralla rastet, rreth të cilave ka pasur aq paragjykime dhe kontradikta, sikurse është rasti me fenë islame dhe me Muhammedin a.s. Islamin, si fe të ardhur pas Krishterizmit, të krishterët mesjetarë evropianë, e kanë parë si herezi, prej nga rezulton edhe prejardhja e mitit të vjetër për Muhammedin a.s., si kardinal renegat. Sulmet arritën apologjinë e tyre, sidomos kur Islami i kaloi kufijtë e shkretëtirës arabe, dhe filloi të përhapet gjithandej me një shpejtësi të paparë.

Gjatë historisë pati shumë armiq, e megjithatë ata, ose i mbuloi pluhuri i harresës, ose vazhduan të përmenden për shembull të keq. Ndërkaq, emri i Muhammedi a.s., vazhdoi të përmendet më shumë se emri i cilësdo krijese tjetër, kurse udhëzimi dhe drita Hyjnore që ai solli, edhe sot e kësaj dite vazhdon të ndriçojë zemrat e pastra dhe fisnike të miliona, madje miliarda njerëzve, gjatë gjithë këtyre 14 shekujsh. Kështu, këtë gurrë të pashterur, do të vazhdojnë ta shijojnë shpirtrat e gjithë atyre njerëzve fisnikë dhe zemërpastër. Allahu i Madhërishëm e përmend çështjen e mashtruesve dhe kundërshtarëve të Muhammedit a.s. në Kur'an, duke përkujtuar poshtërimin e tyre dhe lartësimin e emrit të Muhammedit a.s.: "Dhe Ne ta ngritëm lart famën tënde!" (El Inshirah: 4)

"Ne, vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj, ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd! E s'ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur." (El Kevther: 1-3).

Ndërkaq, fatmirësisht sot ekziston edhe një numër jo i vogël njerëzisht të shquar, që mbajnë një qëndrim objektiv, madje admirues dhe disa prej tyre kanë përqafuar edhe Islamin, të cilët gjithnjë e më shumë po ndikojnë ndjeshëm në formimin e një opinioni objektiv në këtë drejtim. Përmes fjalëve të tyre, ne kemi mundësi t'i përgënjeshtrojmë të gjitha shpifjet dhe akuzat e pabaza të bëra deri tani kundër Muhammedit a.s. dhe Islamit.

Autorët e krishterë, shumica e të cilëve ishin priftërinj dhe ushqenin urrejtje ndaj Islamit, jo me qëllim që të jenë objektivë, por që të shtrembërojnë çdo gjë që ka të bëjë me Islamin, i kanë shërbyer propagandës kundër Islamit.

Të krishterët, gjatë gjithë kohës në të kaluarën, u munduan që ta paraqesin Islamin si fe pagane, kurse muslimanët i konsideronin si paganë të pafe, që nuk i besonin Zotit. Muhammedi a.s. përshkruhej si një idhull, që e adhuronin muslimanët. Madje disa kronistë, kishin shkuar aq larg me gënjeshtrat dhe mashtrimet e tyre, sa të pretendonin se ai, (idhulli i Muhammedit a.s.) ishte i ndërtuar prej ari dhe argjendi, në vendin e quajtur Kadisi, i hipur në një elefant dhe i vendosur në një xham mozaiku.

Në shekullin e XII-të, kundërshtarët e Islamit i avancuan shpifjet e tyre në adresë të Muhammedit a.s., duke shkruar se ai s'është më 'idhulli' që adhurohet në Kadisi, por një kardinal heretik, që duke mos pasur mundësi të bëhej papë, themeloi një religjion të ri, që t'u hakmerrej kundërshtarëve. Në shekullin e 13-të, gjatë një diskutimi, Muhammedi a.s. paraqitet si Anti-Krisht.

Edhe njerëz të shquar në Perëndim, ranë pre e këtyre mashtrimeve dhe shpifjeve mbi të Dërguarin e ndershëm të Allahut. Danten, poetin e njohur Italian, për pak sa se gozhduan në kryq, duke e cilësuar si heretik, për të vetmin shkak se në veprën e tij "Komedia Hyjnore", ai e kishte vendosur Muhammedin a.s., në një vend të purgatorit së bashku me filozofët e vjetër. Për t'i shpëtuar dënimit, ai u detyrua që t'ia ndërronte vendin atij, dhe ta vendoste atë në ferr, mes heretikëve.

Evropa, deri në përfundim të kryqëzatave, nuk vlerësoi asgjë pozitive tek Islami dhe Muhammedi a.s. Prandaj, periudha e kryqëzatave mund të konsiderohet jo vetëm kohë e luftërave kundër Islamit, por edhe e shpifjeve kundër tij. Kështu, të krishterët u munduan që t'ia mohojnë Islamit dhe Kur'anit fisnik burimin Hyjnor, Muhammedit a.s. pejgamberinë dhe muslimanët t'i paraqesin si idhujtarë dhe heretikë. Edhe pse pati evoluim në mendimin evropian për Islamin, megjithatë, prangat e fanatizmit të trashëguar mesjetar dhe influenca e fuqishme autokratike e Kishës, pengonin shprehjen e gjykimeve dhe të mendimeve të reja.

Mirëpo, tashmë tregimi për 'idhullin' s'kishte më efekt. Duheshin imagjinuar dhe shpikur forma të tjera mashtrimesh. Është ironi, se paraqitësit e një imazhi të rremë për Islamin, ishin madje ata, që pretendonin të ishin bartës të kulturës dhe civilizimit. Një pjesë e madhe e tyre, nuk arritën të largohen nga fanatizmi mesjetar, korruptimi mendor dhe intelektual, madje as në ditët tona. Verbëria e zemrës, - sikurse thotë Kur'ani i shenjtë, - dhe jo e syve, bëri që ata të ushqejnë urrejtje ndaj Islamit dhe të mos e shohin dritën Hyjnore.

Shekujt kalonin, por paragjykimet për Islamin dhe Pejgamberin a.s. përhapeshin vazhdimisht, madje gjenin vend edhe në mesin e të shkolluarve. Deri në shek. e XIX-të Evropa në të shprehurit e mendimit të saj për Islamin dhe Muhammedin a.s., ka qëndruar jashtë çdo norme dhe jashtë çdo kriteri shkencor. Edhe në shek. e XIX-të, që u quajt shekulli i kritikës shkencore, ajo nuk arriti të lirohej plotësisht nga paragjykimet dhe akuzat mesjetare. Muhammedi a.s. është akuzuar se kishte bërë plagjiat Dhiatën e Vjetër dhe të Re, në mënyrë që t'i forconte qëndrimet e tij dhe që t'u jepte atyre karakter shkencor. Se sa mund të ketë karakter shkencor Dhiata e Vjetër ose e Re është një temë në vete!
Ky vizion nisej nga një zemërim i madh kundër Pejgamberit, që me "profecinë e vet të rremë", e ndaloi qartë zhvillimin e njerëzimit drejt Krishterizmit të përgjithshëm. Në hulumtimet e të krishterëve, gati se është e dukshme se, Islami nuk mund të trajtohej si subjekt i thjeshtë i hulumtimit shkencor, por si i pandehur dhe i akuzuar para gjykatësve të vet. Autorët perëndimorë, që shkruan për Islamin ndikuan në kuptimin e gabuar të Islamit. Përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme dhe puna e madhe që kanë kryer, ka pasur një objektiv të qartë, atë të çoroditjes së njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm, nën maskën e punimeve shkencore.

Të shkruarit e njëanshëm dhe tendencioz është turp për autorin dhe shenjë e kapitullimit të shkencës. Edhe sot e kësaj dite jomuslimanët kanë një pasqyrë të zbehtë ndaj Islamit, Pejgamberit të Islamit, dhe ithtarëve të tij. Prandaj lirisht mund të themi se literatura e sotme e botuar në Perëndim, mbi Islamin është sipërfaqësore, e paarrirë dhe e bazuar në interesin momental, nganjëherë edhe me leverdi, e shkruar me pretekste tendencioze dhe dashakeqe, mirëpo pa vlerë të njëmendtë shkencore. Ekzistojnë përjashtime, mirëpo ato janë të pakta.

Shumë autorë perëndimor që kanë filluar të kenë një qëndrim më objektiv ndja të dërguarit të fundit të Allahut, do ta përshkruajnë si një njeri gjeni, mësues i madh, me aftësi të jashtëzakonshme, reformator, i cili arriti t'ia ndryshojë pamjen e botës dhe të ndryshojë rrjedhat e historisë. Sigurisht se Pejgamberi a.s. ka qenë njeri me aftësi të jashtëzakonshme, mësues i madh, edukator, udhëheqës shpirtëror dhe profan, shembulli më i përkryer i gjithë gjinisë njerëzore, ka pasur gjenialitet të jashtëzakonshëm, por të gjitha këto veti dhe virtyte ishin si rezultat i pranimit të shpalljes nga Zoti.

Për ne muslimanët, Muhammedi a.s. është lajmëtari dhe i dërguari i fundit i Allahut, i dërguar për të gjithë popujt dhe të gjitha kohërat, deri sa të jetë jeta. Kjo është dhurata më e madhe dhe gradimi më i lartë që i dha Krijuesi, krijesës së tij më të përsosur dhe më të dashur, Muhammedit alejhi selam. Gjithë ato që bëri Muhammedi a.s., për mbarë gjininë njerëzore, ardhja e të cilit qe mëshirë për të gjitha krijesat, duhen kuptuar në kuadër të ndihmës Hyjnore dhe pranimit të shpalljes nga Allahu i Madhërishëm, dhe jo si rezultat i gjenialitetit dhe shpikjes së tij mendore.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free